Lutjet e Orëve

Ora aktuale

Ora e Gjashtë – Sexta

Kujtojmë kryqëzimin dhe i kërkojmë Krishtit të na çlirojë mendjen nga mëkati dhe të na bëjë dritë për botën.

Hyrja e Çdo Ore

Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë

Një Perëndi i vetëm. Amin.

Zot, ki mëshirë. Zot, ki mëshirë. Zot, beko. Amin.

Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve, Amin.

ATI YNË

Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".

Lutja e Falënderimit

T’i falënderojmë Bërësin e të mirave, Perëndinë e mëshirshëm, Atin e Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, sepse na mbuloi, na ndihmoi, na ruajti, na pranoi tek Veti, pati dhembshuri për ne, na përkrahu dhe na solli në këtë orë. Atëherë edhe ta lutim që të na ruajë në këtë ditë të shenjtë dhe në të gjitha ditët e jetës sonë me paqe të plotë. I Gjithëpushtetshmi, Zoti, Perëndia ynë.

O Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm, Ati i Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, të falënderojmë në çdo kohë dhe për çdo gjë dhe në çdo rrethanë, sepse na mbulove, na ndihmove, na ruajte, na pranove tek Ti, pate dhembshuri për ne, na përkrahe dhe na solle në këtë orë.

Për këtë të lutemi dhe të kërkojmë nga mirësia Jote, o Dashamir i njerëzve: na e jep që ta përfundojmë këtë ditë të shenjtë dhe të gjitha ditët e jetës sonë me paqe dhe me frikën Tënde. Çdo smirë, çdo tundim dhe çdo vepër të djallit, komplotin e njerëzve të këqij, ngritjen e armiqve të fshehtë dhe të dukshëm, i largo prej nesh, prej gjithë popullit Tënd dhe prej këtij vendi të shenjtë. Kurse të mirat dhe ato që na janë të dobishme na i dhuro. Sepse Ti je që na dhe pushtet të shkelim gjarpërinjtë dhe akrepat dhe gjithë fuqinë e armikut. Dhe mos na shpjer në tundim, por na shpëto nga i ligu.

Me hirin dhe me mëshirët dhe me dashurinë për njerëzit të Birit Tënd të vetëmlindur, Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Prej të Cilit lavdia, nderimi, madhështia dhe adhurimi i takojnë Ty me Të, bashkë me Shpirtin tënd të Shenjtë që jep jetë dhe është i barabartë me Ty, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

PSALMI 50

Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Fillimi i lutjes

Himni i Orës së Gjashtë të ditës së bekuar, ia ofroj Krishtit, Mbretit dhe Perëndisë tim, dhe i lutem të më falë mëkatet e mia.

PSALMI 53

Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s'ka njeri që të bëjë të mirën.

Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një.

Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë?

Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë.

Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

PSALMI 56

Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sepse njerëzit do të donin të më përpijnë; më luftojnë vazhdimisht me sulmet e tyre.

Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre.

Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.

Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Ata i shtrëmbërojnë vazhdimisht fjalët e mia; gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq.

Mblidhen tok, rrinë në pritë; ruajnë hepat e mia, në pritje që të më marrin jatën.

Ata mendojnë të shpëtojnë me anë të ligësisë; në zemërimin tënd, o Perëndi, hidhi për tokë popujt.

Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?

Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua.

Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; me ndihmën e Zotit do të kremtoj fjalën e tij.

Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Kushtet që kam lidhur me ty, o Perëndi, më detyrojnë. Do të të lëvdoj.

Sepse ti ke çliruar shpirtin tim nga vdekja dhe ke ruajtur këmbët e mia nga rënia, në mënyrë që unë të eci përpara Perëndisë në dritën e të gjallëve.

PSALMI 60

O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.

Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.

Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.

Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)

Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;

Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje".

Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?

Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.

Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.

PSALMI 62

Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet?

Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela)

Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.

Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)

Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t'i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.

Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.

Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;

edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.

PSALMI 66

Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.

Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.

Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.

Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,

që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.

Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)

Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t'ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.

Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.

Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

PSALMI 69

Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.

Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.

Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.

Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.

O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.

Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.

Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.

Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.

Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.

Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.

Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.

Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.

Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.

Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.

Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.

Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.

Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.

Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.

Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.

Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.

Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.

U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.

Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.

Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.

Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,

sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.

Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.

U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.

Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.

Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.

Dhe kjo do t'i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.

Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.

Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.

E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.

Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t'i zotërojnë.

Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.

PSALMI 83

O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!

Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.

Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.

Ata thonë: "Ejani t'i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".

Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.

Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,

Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;

dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)

Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,

të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.

Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,

sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".

O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.

Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,

kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.

Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.

U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;

dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.

PSALMI 84

Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!

Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.

Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)

Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!

Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.

Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.

O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)

Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.

Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.

Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.

O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!

PSALMI 85

O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria.

Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela)

Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë.

Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh.

A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi?

A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?

Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd.

Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t'i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.

Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.

Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.

E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.

Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.

Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.

PSALMI 86

Vëri veshin, o Zot, dhe përgjigjmu, sepse jam i dëshpëruar dhe nevojtar.

Ruaje jetën time sepse jam i shenjtë; ti je Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën.

Gëzoje shërbëtorin tënd, sepse te ti, o Zot e lartoj shpirtin tim.

Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.

Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia.

Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh.

Nuk ka asnjë të barabartë me ty midis perëndive, o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat.

Tërë kombet që ti ke krijuar do të vinë të bien përmbys para teje, o Zot, dhe do të përlëvdojnë emrin tënd.

Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia.

Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.

Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.

Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli.

O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre.

Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.

Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate.

Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.

PSALMI 90

O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.

Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.

Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.

Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.

Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.

Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.

Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t'u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.

Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?

Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.

Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.

Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.

PSALMI 92

Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;

të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,

me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.

Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.

Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!

Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:

që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t'u shkatërruar përjetë.

Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.

Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.

Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.

Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.

I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.

Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.

Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,

për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.

UNGJILLI I SHENJTË SIPAS SHËN MATEUT (KAP. 5:1‑16)

Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.

Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:

''Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.

Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.

Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.

Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.

Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.

Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''.

''Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t'u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.

Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.

Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t'u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.

Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej''.

Tenoo oasht emmok o piekhristos nem pekyot en aghathos nem pi epnevma ethowab je akee ak soati emmon nai nan

Ne të adhurojmë Ty, o Krisht, me Atin Tënd të Mirë dhe me Shpirtin e Shenjtë, sepse Ti erdhe dhe na shpëtove.

1. O Ti, që në ditën e gjashtë dhe në orën e gjashtë u gozhdove në kryq, për mëkatin që ati ynë Adami guxoi të bënte në Parajsë, grise shkrimin e fajit të mëkateve tona, o Krishti ynë Perëndi, dhe na shpëto. I thirra Zotit dhe Ai më dëgjoi. Perëndi, dëgjoje lutjen time dhe mos e përbuz kërkesën time. Ji i vëmendshëm me mua dhe më dëgjo në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë. I them fjalët e mia dhe Ai e dëgjon zërin tim dhe e çliron shpirtin tim në paqe.

Doxa Patri ke Eioa ke Agio Pnevmati

Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.

2. O Jezus Krisht, Perëndia ynë, që u gozhdove në kryq në orën e gjashtë dhe me drurin vrave mëkatin, dhe me vdekjen Tënde e solle në jetë njeriun e vdekur, të cilin e krijove me duart e Tua dhe kishte vdekur në mëkat. Vriti dhembjet tona me pësimet e Tua shëruese dhe jetëdhënëse dhe me gozhdët me të cilat u gozhdove. Shpëtojini mendjet tona nga pakujdesia e veprave tokësore dhe epsheve botërore, në përkujtim të urdhërimeve të Tua qiellore, sipas mëshirës Sate.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

3. Meqë, për shkak të shumë mëkateve tona, nuk kemi as hir, as shfajësim, as arsyetim, nëpërmjet teje i lutemi Atij që lindi prej teje, o Hyjlindëse, Virgjëreshë, sepse e shumtë dhe e pranueshme është ndërmjetësimi yt te Shpëtimtari ynë. O Nënë e pastër, mos i përjashto mëkatarët nga ndërmjetësimi yt te Ai që e linde, sepse Ai është i mëshirshëm dhe i aftë të na shpëtojë, pse pësoi për ne që të na çlirojë. Le të na arrijë shpejt dhembshuria jote, sepse jemi tepër të përulur. Ndihmona, o Perëndi, Shpëtimtari ynë, për lavdinë e Emrit Tënd. O Zot, na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të Emrit tënd të shenjtë.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

4. Ti veprove shpëtim në mes të gjithë dheut, o Krishti ynë Perëndi, kur i shtrive duart e tua të shenjta mbi kryq. Prandaj të gjitha kombet thërrasin duke thënë: “Lavdi Ty, o Zot”.

Doxa Patri ke Eioa ke Agio Pnevmati

Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.

5. Adhurojmë Qenien Tënde të pashkatërrueshme, o i Mirë, duke kërkuar faljen e mëkateve tona, o Krishti ynë Perëndi. Sepse, me vullnetin Tënd, prite të ngriheshe mbi kryq, për të çliruar prej robërisë së armikut ata që i krijove. Ne të thërrasim dhe të falënderojmë, sepse e mbushe gjithçka me gëzim, o Shpëtimtar, kur erdhe të ndihmoje botën. Zot, lavdi Ty.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

6. Ti je ajo që je e mbushur me hir, o Hyjlindëse, Virgjëreshë; të lavdërojmë, sepse, nëpërmjet kryqit të Birit tënd, Hadi u rrëzua dhe vdekja u shfuqizua. Ishim të vdekur, por u ngritëm dhe u bëmë të denjë për jetën e pasosur dhe fituam gëzimin e Parajsës së parë. Prandaj, me mirënjohje, e përlëvdojmë Krishtin e pavdekshëm, Perëndinë tonë.

Pastaj besimtari lutet:

Zot, na dëgjo dhe ki mëshirë për ne dhe na fal mëkatet tona. Amin.

(Zot, ki mëshirë) 41 herë

Absolucioni

Të falënderojmë, o Mbreti ynë i Gjithëpushtetshëm, Ati i Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, dhe të lavdërojmë, sepse i bëre kohët e mundimeve të Birit Tënd të vetëmlindur kohë ngushëllimi dhe lutjeje. Pranoji te Ti lutjet tona dhe fshi për ne shkrimin e mëkateve tona të shkruara kundër nesh, ashtu si i grise në këtë orë të shenjtë me Kryqin e Birit Tënd të vetëmlindur, Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit të shpirtrave tanë; me të cilin Ti shkatërrove çdo fuqi të armikut.

Na jep, o Perëndi, një kohë të ndritshme, një sjellje pa të metë dhe një jetë të qetë, që të pëlqejmë emrin Tënd të shenjtë dhe të adhuruar dhe të qëndrojmë përpara fronit të frikshëm e të drejtë të Birit Tënd të vetëmlindur, Jezu Krishtit, Zotit tonë, pa u dënuar; dhe të të lavdërojmë bashkë me gjithë shenjtorët e Tu. Ti je Ati pa fillim dhe Biri i barabartë me Ty, dhe Shpirti i Shenjtë që jep jetë, tani dhe përherë dhe në tërë shekujt e shekujve. Amin.

Letani që thuhet në fund të çdo Ore

Ki mëshirë për ne, o Perëndi, pastaj ki mëshirë për ne. Ti që në çdo kohë dhe në çdo orë, në qiell dhe mbi tokë, je i adhuruar dhe i lavdëruar, Krishti, Perëndia ynë i mirë, i gjatë në zemërgjerësi, i shumë mëshirshëm, i mbushur me dhembshuri, që i do të drejtët dhe ka mëshirë për mëkatarët, prej të cilëve i pari jam unë; që nuk do vdekjen e mëkatarit, por të kthehet dhe të rrojë; që i thërret të gjithë në shpëtim për hir të premtimit për të mirat e pritshme.

O Zot, prano prej nesh në këtë orë dhe në çdo orë lutjet tona; lehtëso jetën tonë dhe na udhëhiq të kryejmë urdhërimet e Tua. Shenjtëro shpirtrat tanë, pastro trupat tanë, drejto mendimet tona, pastro qëllimet tona, shëro sëmundjet tona dhe fal mëkatet tona. Dhe na shpëto nga çdo hidhësi e keqe dhe nga dhembja e zemrës. Na rretho me engjëjt e Tu të shenjtë, që, të ruajtur dhe të udhëhequr nga ushtria e tyre, të arrijmë në unitetin e besimit dhe në njohjen e lavdisë sate të papërfytyrueshme dhe të pakufishme, sepse i Bekuar je në përjetësi. Amin.

O Perëndi, na bëj të denjë të themi me falënderim: Ati ynë që je në qiej...