Lutjet e Orëve

Ora aktuale

Kompleta – Ora e Dymbëdhjetë

Para gjumit kujtojmë varrosjen e Krishtit, kalueshmërinë e botës, dhe kërkojmë falje e mbrojtje gjatë natës.

Hyrja e Çdo Ore

Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë

Një Perëndi i vetëm. Amin.

Zot, ki mëshirë. Zot, ki mëshirë. Zot, beko. Amin.

Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve, Amin.

ATI YNË

Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".

Lutja e Falënderimit

T’i falënderojmë Bërësin e të mirave, Perëndinë e mëshirshëm, Atin e Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, sepse na mbuloi, na ndihmoi, na ruajti, na pranoi tek Veti, pati dhembshuri për ne, na përkrahu dhe na solli në këtë orë. Atëherë edhe ta lutim që të na ruajë në këtë ditë të shenjtë dhe në të gjitha ditët e jetës sonë me paqe të plotë. I Gjithëpushtetshmi, Zoti, Perëndia ynë.

O Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm, Ati i Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, të falënderojmë në çdo kohë dhe për çdo gjë dhe në çdo rrethanë, sepse na mbulove, na ndihmove, na ruajte, na pranove tek Ti, pate dhembshuri për ne, na përkrahe dhe na solle në këtë orë.

Për këtë të lutemi dhe të kërkojmë nga mirësia Jote, o Dashamir i njerëzve: na e jep që ta përfundojmë këtë ditë të shenjtë dhe të gjitha ditët e jetës sonë me paqe dhe me frikën Tënde. Çdo smirë, çdo tundim dhe çdo vepër të djallit, komplotin e njerëzve të këqij, ngritjen e armiqve të fshehtë dhe të dukshëm, i largo prej nesh, prej gjithë popullit Tënd dhe prej këtij vendi të shenjtë. Kurse të mirat dhe ato që na janë të dobishme na i dhuro. Sepse Ti je që na dhe pushtet të shkelim gjarpërinjtë dhe akrepat dhe gjithë fuqinë e armikut. Dhe mos na shpjer në tundim, por na shpëto nga i ligu.

Me hirin dhe me mëshirët dhe me dashurinë për njerëzit të Birit Tënd të vetëmlindur, Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Prej të Cilit lavdia, nderimi, madhështia dhe adhurimi i takojnë Ty me Të, bashkë me Shpirtin tënd të Shenjtë që jep jetë dhe është i barabartë me Ty, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

PSALMI 50

Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Fillimi i lutjes

Himni i Fjetjes së kësaj dite të bekuar, ia ofroj Krishtit, Mbretit dhe Perëndisë tim, dhe i lutem të më falë mëkatet e mia.

PSALMI 129

Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:

"Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.

Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".

Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.

U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!

U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;

nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;

dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".

PSALMI 130

Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.

O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?

Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.

Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.

Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.

O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.

Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.

PSALMI 131

O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.

E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.

O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.

PSALMI 132

Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,

ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:

"Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;

nuk do t'i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,

deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".

Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.

Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.

Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.

Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.

Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t'u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".

Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:

"Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.

Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t'i ngop me bukë të varfërit e tij;

do t'i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.

Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t'i jap një llambë të vajosurit tim.

Do t'i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".

PSALMI 133

Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!

Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.

Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.

PSALMI 136

Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;

Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

PSALMI 137

Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;

mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.

Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".

Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?

Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;

m'u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.

Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: "Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelet".

O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!

Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

PSALMI 140

Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,

që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.

Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)

Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.

Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)

Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.

O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.

O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)

Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.

Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.

Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".

Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t'i sigurojë drejtësi të varfërit.

Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.

PSALMI 141

O Zot, unë të këlthas ty; nxito të më përgjigjesh. Vëri veshin zërit tim, kur të këlthas ty.

Le të arrijë lutja ime para teje si temjani, ngritja e duarve të mia si flijimi i mbrëmjes.

O Zot, vër një roje para gojës sime.

Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe dhe kështu të kryejë veprime të këqija bashkë me ata që bëjnë paudhësi; dhe bëj që unë të mos ha ushqimet e tyre të shijshme.

Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar. Por lutja ime vazhdon të jetë kundër veprimeve të tyre të këqija.

Princat e tyre i hodhën nga skërkat dhe ata do t'i dëgjojnë fjalët e mia, sepse ato janë të këndshme.

Ashtu si ai që lëron dhe çan tokën, kështu kockat tona janë të përhapura në hyrje të Sheolit.

Por sytë e mia janë drejtuar te ti, o Zot, Zoti im; unë strehohem te ti, mos më lër të pambrojtur.

Më ruaj nga laku që më kanë përgatitur dhe nga kurthet e njerëzve që kryejnë paudhësi.

Të pabesët rënçin vetë në rrjetat e tyre, ndërsa unë do të kaloj tutje.

PSALMI 145

Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.

Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.

Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.

Një brez do t'i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t'i njoftojë mrekullitë e tua.

Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.

Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.

Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

për t'u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.

Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.

Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.

Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.

Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

PSALMI 146

Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

PSALMI 147

Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t'i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t'i bëjë ballë të ftohtit të tij?

Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

UNGJILLI I SHENJTË SIPAS SHËN LUKËS (KAP. 2:25‑32)

Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.

Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,

ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

''Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd

që ti e përgatite përpara gjithë popujve:

dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit''.

Trisagjoni i trefishtë

I Shenjtë Perëndi, i Shenjtë i Forti, i Shenjtë i Pavdekshmi, që u linde nga Virgjëra, ki mëshirë për ne. I Shenjtë Perëndi, i Shenjtë i Forti, i Shenjtë i Pavdekshmi, që u kryqëzove për ne, ki mëshirë për ne. I Shenjtë Perëndi, i Shenjtë i Forti, i Shenjtë i Pavdekshmi, që u ngjalle prej së vdekurish dhe u ngjite në qiej, ki mëshirë për ne. Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve. Amin. O Trini e Shenjtë, ki mëshirë për ne. O Trini e Shenjtë, ki mëshirë për ne. O Trini e Shenjtë, ki mëshirë për ne.

O Zot, na i fal mëkatet tona. O Zot, na i fal paudhësitë tona. O Zot, na i fshij fajet tona. O Zot, vizito të sëmurët e popullit Tënd; shëroji për hir të emrit Tënd të shenjtë. Etërit dhe vëllezërit tanë që fjetën, o Zot, prehji shpirtrat e tyre. O Ti që je pa mëkat, o Zot, ki mëshirë për ne. O Ti që je pa mëkat, o Zot, na ndihmo dhe prano lutjet tona te Ti; sepse jotja është lavdia dhe madhështia dhe shenjtëria trefishe. Zot, ki mëshirë. Zot, ki mëshirë. Zot, beko. Amin.

Dhe na bëj të denjë të themi me falënderim: Ati ynë që je në qiej....

Të falemi ty

Të falemi ty. Të lutemi, o e shenjta e mbushur me lavdi, Virgjëra përherë, Hyjlindësja, Nëna e Krishtit: ngri t’i dërgosh lutjet tona te Biri yt i dashur që të na falë mëkatet tona.

Të falemi asaj që na lindi dritën e vërtetë, Krishtin, Perëndinë tonë, Virgjërës së shenjtë: lutu te Zoti për ne, që të bëjë mëshirë me shpirtrat tanë dhe të na falë mëkatet tona.

O Virgjëra Mari, Hyjlindësja, e shenjta ndërmjetëse besnike për gjininë njerëzore, ndërmjetëso për ne përpara Krishtit që e linde, që të na e dhurojë faljen e mëkateve tona.

Paqe ty, o Virgjëra, Mbretëresha e vërtetë; paqe lavdisë së gjinisë sonë. Na linde Emanuelin. Të lutemi: na kujto, o ndërmjetëse e besueshme, përpara Zotit tonë Jezu Krishtit që të na falë mëkatet tona.

Fillimi i Simbolit të Fesë

Të madhërojmë, o Nëna e Dritës së vërtetë, dhe të lavdërojmë, o Virgjëra e shenjtë, Hyjlindësja, sepse na linde Shpëtimtarin e botës; Ai erdhi dhe shpëtoi shpirtrat tanë.

Lavdi Ty, o Zoti ynë dhe Mbreti ynë, Krisht, lavdia e apostujve, kurora e martirëve, hareja e të drejtëve, qëndrueshmëria e kishave, falja e mëkateve.

Lajmërojmë Trininë e Shenjtë, një Hyjni; Atë e adhurojmë dhe e lavdërojmë. Zot, ki mëshirë. Zot, ki mëshirë. Zot, beko. Amin.

Simboli i Shenjtë i Fesë Ortodokse

Me të vërtetë besojmë në një Perëndi, Atin, të Gjithëpushtetshmin, Krijuesin e qiellit dhe të dheut, të dukshmëve dhe të padukshmëve.

Besojmë edhe në një Zot, Jezu Krishtin, Birin e vetëm të Perëndisë, të lindur prej Atit përpara të gjitha shekujve; Dritë nga Drita, Perëndi i vërtetë nga Perëndia i vërtetë; i lindur, jo i bërë; bashkëqenësor me Atin; me të cilin u bë çdo gjë. I Cili, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti nga qiejt dhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë dhe prej Marisë Virgjër dhe u bë njeri; dhe u kryqëzua për ne në ditët e Pontit Pilat; pësoi dhe u varros dhe u ngjall prej së vdekurish ditën e tretë, sipas Shkrimeve; dhe u ngjit në qiej dhe rri në të djathtë të Atit; dhe prapë do të vijë me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit; Mbretërisë së Tij nuk do t’i ketë mbarim.

Po, besojmë edhe në Shpirtin e Shenjtë, Zotin, që jep jetë, që buron prej Atit; Atij i bëjmë adhurim dhe lavdi bashkë me Atin dhe me Birin; Ai që ka folur me anë të profetëve.

Edhe në një Kishë të vetme, të Shenjtë, Katolike dhe Apostolike.

Rrëfejmë një pagëzim për faljen e mëkateve.

Presim Ringjalljen e të vdekurve dhe jetën e shekullit që vjen. Amin.

Κύριε ἐλέησον Kyrie eleison (Zot, ki mëshirë) 41 herë

I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë

I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë, Zot i Sabaot. Qielli dhe toka janë të mbushura me lavdinë dhe nderin Tënd. Ki mëshirë për ne, o Perëndi, Ati i Gjithëpushtetshëm. O Trini e Shenjtë, ki mëshirë për ne. O Zot, Perëndi i ushtrive, qëndro me ne, sepse nuk kemi ndihmës në vështirësitë dhe ngushticat tona, përveç Teje.

Zgjidhe, fal dhe na e fshij, o Perëndi, çdo keqbërje tonën: atë që e bëmë me dëshirë dhe atë që e bëmë pa dëshirë, atë që e kryem me dije dhe atë pa dije, të fshehtat dhe të dukshmet. O Zot, falna për hir të emrit Tënd të shenjtë që është thirrur mbi ne; sipas mëshirës Sate, o Zot, e jo sipas mëkateve tona.

Dhe na bëj të denjë të themi me falënderim: Ati ynë që je në qiej...

Absolucioni

O Zot, gjithçka me të cilën kemi mëkatuar ndaj Teje në këtë ditë, qoftë me vepër, qoftë me fjalë, qoftë me mendim, qoftë me të gjitha ndjenjat, na e fshij dhe na e fal për hir të emrit tënd të shenjtë, si i mirë dhe Dashamir i njerëzve. Dhe na dhuro, o Perëndi, një natë të qetë dhe këtë gjumë të pastër prej çdo shqetësimi. Dhe na dërgo një engjëll paqeje të na ruajë nga çdo e keqe, nga çdo goditje dhe nga çdo tundim i armikut. Me hirin dhe me mëshirët dhe me dashurinë për njerëzit të Birit Tënd të vetëmlindur, Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Prej të Cilit Ty të takojnë lavdia, nderi dhe madhështia, me Shpirtin e Shenjtë që jep jetë dhe është i barabartë me Ty, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve. Amin.

Letani që thuhet në fund të çdo Ore

Ki mëshirë për ne, o Perëndi, pastaj ki mëshirë për ne. Ti që në çdo kohë dhe në çdo orë, në qiell dhe mbi tokë, je i adhuruar dhe i lavdëruar, Krishti, Perëndia ynë i mirë, i gjatë në zemërgjerësi, i shumë mëshirshëm, i mbushur me dhembshuri, që i do të drejtët dhe ka mëshirë për mëkatarët, prej të cilëve i pari jam unë; që nuk do vdekjen e mëkatarit, por të kthehet dhe të rrojë; që i thërret të gjithë në shpëtim për hir të premtimit për të mirat e pritshme.

O Zot, prano prej nesh në këtë orë dhe në çdo orë lutjet tona; lehtëso jetën tonë dhe na udhëhiq të kryejmë urdhërimet e Tua. Shenjtëro shpirtrat tanë, pastro trupat tanë, drejto mendimet tona, pastro qëllimet tona, shëro sëmundjet tona dhe fal mëkatet tona. Dhe na shpëto nga çdo hidhësi e keqe dhe nga dhembja e zemrës. Na rretho me engjëjt e Tu të shenjtë, që, të ruajtur dhe të udhëhequr nga ushtria e tyre, të arrijmë në unitetin e besimit dhe në njohjen e lavdisë sate të papërfytyrueshme dhe të pakufishme, sepse i Bekuar je në përjetësi. Amin.

O Perëndi, na bëj të denjë të themi me falënderim: Ati ynë që je në qiej...