Lutjet e Orëve

Ora aktuale

Ora e Tretë – Terca

Kujtojmë Krishtin para Pilatit, Ngjitjen e Tij në qiell, dhe zbritjen e Shpirtit të Shenjtë që përtërin zemrat tona.

Hyrja e Çdo Ore

Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë

Një Perëndi i vetëm. Amin.

Zot, ki mëshirë. Zot, ki mëshirë. Zot, beko. Amin.

Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve, Amin.

ATI YNË

Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".

Lutja e Falënderimit

T’i falënderojmë Bërësin e të mirave, Perëndinë e mëshirshëm, Atin e Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, sepse na mbuloi, na ndihmoi, na ruajti, na pranoi tek Veti, pati dhembshuri për ne, na përkrahu dhe na solli në këtë orë. Atëherë edhe ta lutim që të na ruajë në këtë ditë të shenjtë dhe në të gjitha ditët e jetës sonë me paqe të plotë. I Gjithëpushtetshmi, Zoti, Perëndia ynë.

O Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm, Ati i Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, të falënderojmë në çdo kohë dhe për çdo gjë dhe në çdo rrethanë, sepse na mbulove, na ndihmove, na ruajte, na pranove tek Ti, pate dhembshuri për ne, na përkrahe dhe na solle në këtë orë.

Për këtë të lutemi dhe të kërkojmë nga mirësia Jote, o Dashamir i njerëzve: na e jep që ta përfundojmë këtë ditë të shenjtë dhe të gjitha ditët e jetës sonë me paqe dhe me frikën Tënde. Çdo smirë, çdo tundim dhe çdo vepër të djallit, komplotin e njerëzve të këqij, ngritjen e armiqve të fshehtë dhe të dukshëm, i largo prej nesh, prej gjithë popullit Tënd dhe prej këtij vendi të shenjtë. Kurse të mirat dhe ato që na janë të dobishme na i dhuro. Sepse Ti je që na dhe pushtet të shkelim gjarpërinjtë dhe akrepat dhe gjithë fuqinë e armikut. Dhe mos na shpjer në tundim, por na shpëto nga i ligu.

Me hirin dhe me mëshirët dhe me dashurinë për njerëzit të Birit Tënd të vetëmlindur, Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Prej të Cilit lavdia, nderimi, madhështia dhe adhurimi i takojnë Ty me Të, bashkë me Shpirtin tënd të Shenjtë që jep jetë dhe është i barabartë me Ty, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

PSALMI 50

Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Fillimi i lutjes

Himni i Orës së Tretë të ditës së bekuar, ia ofroj Krishtit, Mbretit dhe Perëndisë tim, dhe i lutem të më falë mëkatet e mia.

PSALMI 19

Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t'i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

PSALMI 22

Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?

O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.

Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.

Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.

Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.

Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.

Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,

duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".

Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.

Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.

Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.

Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;

ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.

Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.

Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.

Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.

Unë mund t'i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.

Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.

Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.

Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.

Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m'u përgjigje.

Unë do t'u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.

Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.

Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.

Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t'i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.

Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.

Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.

Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.

Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.

Pasardhësit do t'i shërbejnë; do t'i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.

Ata do të vijnë dhe do t'i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.

PSALMI 23

Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.

Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.

Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.

Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

PSALMI 25

Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t'u mësojë rrugën mëkatarëve.

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t'u mësojë të përulurve rrugën e tij.

Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.

Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.

Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t'i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.

Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.

Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.

Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m'i nxjerrë këmbët nga rrjeta.

Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.

Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.

Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.

Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.

Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.

Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.

O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.

PSALMI 28

Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.

Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.

Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.

Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.

Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t'i mposhtë dhe nuk do t'i lërë të begatohen.

I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.

Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.

Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.

Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.

PSALMI 29

I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

Zoti do t'i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

PSALMI 33

Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.

Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.

Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.

Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.

Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.

Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.

Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.

Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t'i mbajtur të gjallë në kohë urie.

Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.

Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

PSALMI 40

Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t'i besojnë Zotit.

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t'i shpallja dhe t'i tregoja, do të ishin tepër për t'i radhitur.

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah...!".

U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

PSALMI 42

Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.

Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?

Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.

Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.

Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.

Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.

Unë do t'i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".

Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

PSALMI 44

O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.

Për t'i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t'u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr

ës sate, sepse të pëlqenin.

Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.

Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.

Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.

Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.

Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)

Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.

Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.

Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.

Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.

Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh.

Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën.

Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi,

për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje.

Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde.

Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote,

por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes.

Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t'i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj,

a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.

Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele.

Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë.

Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë?

Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës.

Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.

PSALMI 45

Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.

Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.

Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,

dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.

Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.

Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.

Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.

Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.

Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.

Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,

dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.

Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.

Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.

Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.

Ato do t'i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.

Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t'i bësh princa për tërë tokën.

Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.

PSALMI 46

Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.

Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Troparët

Shpirti Yt i Shenjtë, o Zot, që e dërgove mbi nxënësit e Tu të shenjtë dhe apostujt e nderuar në orën e tretë, këtë mos e largo prej nesh, o i Mirë, por ripërtërije brenda nesh. «Zemër të pastër krijo tek unë, o Perëndi, dhe shpirt të drejtë rinovo brenda në mua. Mos më hidh përpara Fytyrës Sate dhe Shpirtin Tënd të Shenjtë mos e largo prej meje». (ذوكصابتري كيه إيو كي آجيو ابنيفماتي Δόξα Πατρί καὶ Υἱῷ καὶ Ἁγίῳ Πνεύματι - Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë).

O Zot që dërgove Shpirtin Tënd të Shenjtë mbi nxënësit e Tu të shenjtë dhe apostujt e nderuar në orën e tretë, këtë mos e largo prej nesh, o i Mirë. Por të lutemi që ta ripërtërish brenda nesh, o Zoti ynë Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, Fjala: Shpirt të drejtë dhe që jep jetë, Shpirt profecie dhe dëlirësie, Shpirt shenjtërie, drejtësie dhe pushteti, o i Gjithëfuqishëm, sepse Ti je ndriçimi i shpirtrave tanë; Ti që ndriçon çdo njeri që vjen në botë, ki mëshirë për ne. (كي نين، كي آ إي، كي ايستوس إي أوناس تون إي أونون آمين Καὶ νῦν καὶ ἀεὶ καὶ εἰς τοὺς αἰῶνας τῶν αἰώνων. Ἀμήν - tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve. Amin).

O Hyjlindëse, Ti je hardhia e vërtetë që mban tufën e jetës; të lutemi, o e mbushura me hir, bashkë me apostujt, për shpëtimin e shpirtrave tanë. I bekuar qoftë Zoti, Perëndia ynë. I bekuar qoftë Zoti ditë përditë, Ai na e përgatit udhën, sepse Ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (كي نين، كي آ إي، كي ايستوس إي أوناس تون إي أونون آمين Καὶ νῦν καὶ ἀεὶ καὶ εἰς τοὺς αἰῶνας τῶν αἰώνων. Ἀμήν - tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve. Amin).

O Mbret qiellor, Ngushëllues, Shpirti i së vërtetës, që je i pranishëm kudo dhe i mbush të gjitha, Thesar i të mirave dhe Dhenës i jetës, eja, të lutemi, dhe bano në ne, dhe na pastro nga çdo papastërti, o i Mirë, dhe shpëto shpirtrat tanë. (ذوكصابتري كيه إيو كي آجيو ابنيفماتي Δόξα Πατρί καὶ Υἱῷ καὶ Ἁγίῳ Πνεύματι - Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë).

Siç ishe me nxënësit e Tu, o Shpëtimtar, dhe u dhe atyre paqen, eja edhe qëndro me ne dhe na jep paqen Tënde, dhe na shpëto dhe shpëto shpirtrat tanë. (كي نين، كي آ إي، كي ايستوس إي أوناس تون إي أونون آمين Καὶ νῦν καὶ ἀεὶ καὶ εἰς τοὺς αἰῶνας τῶν αἰώνων. Ἀμήν - tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve. Amin).

Kur qëndrojmë në Tempullin tënd të shenjtë, na numëro si qëndrestarë në qiell. O Hyjlindëse, Ti je porta e qiellit; na hape portën e mëshirës.

Tenoo oasht emmok o piekhristos nem pekyot en aghathos nem pi epnevma ethowab je akee ak soati emmon nai nan

Ne të adhurojmë Ty, o Krisht, me Atin Tënd të Mirë dhe me Shpirtin e Shenjtë, sepse Ti erdhe dhe na shpëtove.

1. Shpirti Yt i Shenjtë, o Zot, që e dërgove mbi dishepujt e Tu të shenjtë dhe apostujt e nderuar në orën e tretë, mos e hiq prej nesh, o i Mirë, por përtërije brenda nesh. Krijo tek unë, o Perëndi, një zemër të pastër, dhe përtëri brenda meje një frymë të qëndrueshme. Mos më largo nga prania Jote dhe mos e hiq prej meje Shpirtin Tënd të Shenjtë.

Doxa Patri ke Eioa ke Agio Pnevmati

Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.

2. O Zot, që e dërgove Shpirtin Tënd të Shenjtë mbi dishepujt e Tu të shenjtë dhe apostujt e Tu të nderuar në orën e tretë, mos e hiq prej nesh, o i Mirë, por të lutemi ta përtërish brenda nesh, o Zot Jezus Krisht, Bir i Perëndisë, Fjala; frymë e qëndrueshme dhe jetëdhënëse, frymë profecie dhe dëlirësie, frymë shenjtërie, drejtësie dhe pushteti, o i Gjithëfuqishmi, sepse Ti je drita e shpirtrave tanë. O Ti që ndriçon çdo njeri që vjen në botë, ki mëshirë për mua.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

3. O Hyjlindëse, ti je hardhia e vërtetë që solle Rrushin e Jetës; të lutemi, o e mbushur me hir, bashkë me apostujt, për shpëtimin e shpirtrave tanë. I bekuar është Zoti, Perëndia ynë. I bekuar është Zoti ditë për ditë. Ai e përgatit udhën tonë, sepse Ai është Perëndia i shpëtimit tonë.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

4. O Mbret Qiellor, Ngushëllues, Shpirti i së vërtetës, që je i pranishëm kudo dhe i mbush të gjitha, thesar i të mirave dhe Jetëdhënës, bëj hir e eja, bano në ne dhe na pastro nga çdo papastërti, o i Mirë, dhe shpëto shpirtrat tanë.

Doxa Patri ke Eioa ke Agio Pnevmati

Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.

5. Ashtu si ishe me dishepujt e Tu, o Shpëtimtar, dhe u dhe paqe, eja me hir dhe qëndro edhe me ne, na jep paqen Tënde, na shpëto dhe çliro shpirtrat tanë.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

6. Sa herë që qëndrojmë në shenjtëroren Tënde të shenjtë, konsiderohemi sikur qëndrojmë në qiell. O Hyjlindëse, ti je porta e qiellit; na hape portën e mëshirës.

Pastaj besimtari lutet:

Zot, na dëgjo dhe ki mëshirë për ne dhe na fal mëkatet tona. Amin.

(Zot, ki mëshirë) 41 herë

Absolucioni

O Perëndi i të gjitha mëshirave dhe Zoti i çdo ngushëllimi, që na ngushëllon gjithmonë me ngushëllimin e Shpirtit tënd të Shenjtë, të falënderojmë sepse na ngrite për lutje në këtë orë të shenjtë, në të cilën derdhe me bujari hirin e Shpirtit tënd të Shenjtë mbi nxënësit e Tu të shenjtë dhe apostujt e bekuar, si gjuhë zjarri. Të lutemi dhe të kërkojmë prej Teje, o Dashamir i njerëzve: pranoji te Ti lutjet tona dhe fal mëkatet tona; dërgo mbi ne hirin e Shpirtit tënd të Shenjtë; na pastro nga çdo papastërti e trupit dhe e shpirtit dhe na shndërro në jetë shpirtërore, që të ecim sipas Shpirtit dhe të mos përmbushim dëshirën e mishit. Dhe na bëj të denjë të të shërbejmë me pastërti dhe drejtësi në të gjitha ditët e jetës sonë. Sepse Ty të takon lavdia, nderi dhe madhështia, me Atin Tënd të mirë dhe Shpirtin e Shenjtë, tani dhe përherë dhe në përjetësi. Amin.

Letani që thuhet në fund të çdo Ore

Ki mëshirë për ne, o Perëndi, pastaj ki mëshirë për ne. Ti që në çdo kohë dhe në çdo orë, në qiell dhe mbi tokë, je i adhuruar dhe i lavdëruar, Krishti, Perëndia ynë i mirë, i gjatë në zemërgjerësi, i shumë mëshirshëm, i mbushur me dhembshuri, që i do të drejtët dhe ka mëshirë për mëkatarët, prej të cilëve i pari jam unë; që nuk do vdekjen e mëkatarit, por të kthehet dhe të rrojë; që i thërret të gjithë në shpëtim për hir të premtimit për të mirat e pritshme.

O Zot, prano prej nesh në këtë orë dhe në çdo orë lutjet tona; lehtëso jetën tonë dhe na udhëhiq të kryejmë urdhërimet e Tua. Shenjtëro shpirtrat tanë, pastro trupat tanë, drejto mendimet tona, pastro qëllimet tona, shëro sëmundjet tona dhe fal mëkatet tona. Dhe na shpëto nga çdo hidhësi e keqe dhe nga dhembja e zemrës. Na rretho me engjëjt e Tu të shenjtë, që, të ruajtur dhe të udhëhequr nga ushtria e tyre, të arrijmë në unitetin e besimit dhe në njohjen e lavdisë sate të papërfytyrueshme dhe të pakufishme, sepse i Bekuar je në përjetësi. Amin.

O Perëndi, na bëj të denjë të themi me falënderim: Ati ynë që je në qiej...