Lutjet e Orëve

Ora aktuale

Ora e Nëntë – Nona

Kujtojmë vdekjen shpëtuese të Krishtit në kryq dhe pendimin e hajdutit që iu lut të kujtohej në Mbretërinë e Tij.

Hyrja e Çdo Ore

Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë

Një Perëndi i vetëm. Amin.

Zot, ki mëshirë. Zot, ki mëshirë. Zot, beko. Amin.

Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve, Amin.

ATI YNË

Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".

Lutja e Falënderimit

T’i falënderojmë Bërësin e të mirave, Perëndinë e mëshirshëm, Atin e Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, sepse na mbuloi, na ndihmoi, na ruajti, na pranoi tek Veti, pati dhembshuri për ne, na përkrahu dhe na solli në këtë orë. Atëherë edhe ta lutim që të na ruajë në këtë ditë të shenjtë dhe në të gjitha ditët e jetës sonë me paqe të plotë. I Gjithëpushtetshmi, Zoti, Perëndia ynë.

O Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm, Ati i Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, të falënderojmë në çdo kohë dhe për çdo gjë dhe në çdo rrethanë, sepse na mbulove, na ndihmove, na ruajte, na pranove tek Ti, pate dhembshuri për ne, na përkrahe dhe na solle në këtë orë.

Për këtë të lutemi dhe të kërkojmë nga mirësia Jote, o Dashamir i njerëzve: na e jep që ta përfundojmë këtë ditë të shenjtë dhe të gjitha ditët e jetës sonë me paqe dhe me frikën Tënde. Çdo smirë, çdo tundim dhe çdo vepër të djallit, komplotin e njerëzve të këqij, ngritjen e armiqve të fshehtë dhe të dukshëm, i largo prej nesh, prej gjithë popullit Tënd dhe prej këtij vendi të shenjtë. Kurse të mirat dhe ato që na janë të dobishme na i dhuro. Sepse Ti je që na dhe pushtet të shkelim gjarpërinjtë dhe akrepat dhe gjithë fuqinë e armikut. Dhe mos na shpjer në tundim, por na shpëto nga i ligu.

Me hirin dhe me mëshirët dhe me dashurinë për njerëzit të Birit Tënd të vetëmlindur, Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Prej të Cilit lavdia, nderimi, madhështia dhe adhurimi i takojnë Ty me Të, bashkë me Shpirtin tënd të Shenjtë që jep jetë dhe është i barabartë me Ty, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

PSALMI 50

Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Fillimi i lutjes

Himni i Orës së Nëntë të ditës së bekuar, ia ofroj Krishtit, Mbretit dhe Perëndisë tim, dhe i lutem të më falë mëkatet e mia.

PSALMI 95

Ejani, t'i këndojmë me gëzim Zotit; t'i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.

Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.

Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.

Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.

I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.

Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.

Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,

"mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.

Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.

Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

PSALMI 96

Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t'i gjykojë popujt me drejtësi".

Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

PSALMI 97

Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.

Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.

Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.

Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.

Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.

Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.

Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.

Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.

PSALMI 98

Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.

Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.

Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.

Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.

Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.

Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.

Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.

Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,

sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.

PSALMI 99

Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.

Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.

Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.

Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.

Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.

Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.

Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.

PSALMI 100

Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.

Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.

Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.

Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.

PSALMI 109

O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,

sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;

më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.

Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.

Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.

Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.

U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t'u shkaktonte vdekjen.

Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.

Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;

Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.

Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.

Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje.

PSALMI 110

Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.

Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.

Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".

Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.

Ai do të gjykojë kombet, do t'i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.

Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.

PSALMI 111

Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.

Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.

Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

PSALMI 112

Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.

Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.

Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.

Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,

sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.

Ai nuk do t'u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.

Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.

Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.

I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.

PSALMI 114

Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç'pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

PSALMI 115

Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

UNGJILLI I SHENJTË SIPAS SHËN LUKËS (KAP. 9:10‑17)

Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.

Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.

Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: ''Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë''.

Por ai u tha atyre: ''U jepni ju të hanë''. Ata u përgjigjen: ''Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz''.

Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: ''I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë''.

Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.

Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës.

Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.

Tenoo oasht emmok o piekhristos nem pekyot en aghathos nem pi epnevma ethowab je akee ak soati emmon nai nan

Ne të adhurojmë Ty, o Krisht, me Atin Tënd të Mirë dhe me Shpirtin e Shenjtë, sepse Ti erdhe dhe na shpëtove.

1. O Ti, që shijove vdekjen në trup në orën e nëntë për hirin tonë, ne mëkatarët, vriti epshet tona trupore, o Krishti ynë Perëndi, dhe na shpëto. Le të afrohet para Teje lutja ime, o Zot; sipas fjalës Sate më jep kuptim. Le të vijë kërkesa ime para pranisë Sate; sipas fjalës Sate më jep jetë.

Doxa Patri ke Eioa ke Agio Pnevmati

Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.

2. O Ti, që ia dorëzove Shpirtin duarve të Atit, ndërsa vare në kryq, në orën e nëntë, dhe e udhëzove Hajdutin që u kryqëzua me Ty të hyjë në Parajsë, mos më shpërfill mua, o i Mirë, as mos më refuzo mua, të humburin; por shenjtëroje shpirtin tim dhe ndriçoje mendjen time, dhe më bën pjesëtar të hirit të mistereve të Tua jetëdhënëse; që, kur të shijoj mirësitë e Tua, të ofroj lavdërim pa plogështi, duke dëshiruar shkëlqimin Tënd mbi të gjitha, o Krishti, Zoti ynë, dhe na shpëto.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

3. O Ti që u le nga Virgjëresha për hirin tonë dhe durova kryqëzimin, o i Mirë, dhe e shfuqizove vdekjen me vdekjen Tënde dhe e shfaqe ringjalljen me ringjalljen Tënde, o Perëndi, mos u largo prej atyre që i krijove me duart e Tua, por shfaq, o i Mirë, dashurinë Tënde për njerëzimin. Prano prej Nënës Sate një ndërmjetësim për ne. Shpëto, o Shpëtimtar, një popull të përulur. Mos na lër deri në fund dhe mos na braktis përgjithmonë. Mos e shkel besëlidhjen Tënde dhe mos e largo prej nesh mëshirën Tënde, për hir të Abrahamit, të dashurit Tënd, të Isakut, shërbëtorit Tënd, dhe të Izraelit, shenjtit Tënd.

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

4. Kur Hajduti pa Princin e Jetës të varur në kryq, tha: “Po të mos ishte Perëndi i mishëruar Ai që u kryqëzua me ne, dielli s’do të fshihte rrezet e tij, as toka s’do të dridhej duke u tundur. Por Ti, o i Gjithëfuqishëm që duron gjithçka, më kujto, o Zot, kur të vish në Mbretërinë Tënde.”

Doxa Patri ke Eioa ke Agio Pnevmati

Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.

5. O Ti që e prite rrëfimin e Hajdutit në kryq, na prano edhe ne, o i Mirë; ne që për shkak të mëkateve tona meritojmë dënimin e vdekjes. Të gjithë i rrëfejmë mëkatet tona bashkë me të dhe e njohim Hyjninë Tënde dhe thërrasim me të duke thënë: “Na kujto, o Zot, kur të vish në Mbretërinë Tënde.”

Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.

Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.

6. Kur Nëna pa Qengjin dhe Bariun, Shpëtimtarin e botës, të varur në Kryq, tha duke qarë: “Bota gëzohet që merr shpëtimin, ndërsa zemra ime digjet teksa sodit kryqëzimin Tënd që po e duron për hir të të gjithëve, Biri im dhe Perëndia im.”

Pastaj besimtari lutet:

Zot, na dëgjo dhe ki mëshirë për ne dhe na fal mëkatet tona. Amin.

(Zot, ki mëshirë) 41 herë

Absolucioni

O Perëndi, Ati i Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i Cili me shfaqjen e Tij na shpëtoi dhe na çliroi nga skllavëria e armikut, të lutemi me emrin e Tij të bekuar dhe të madh: zhvendosi mendjet tona nga kujdeset tokësore dhe dëshirat trupore drejt përkujtimit të gjykimeve të Tua qiellore dhe përsose për ne dashurinë tënde për njerëzit, o i Mirë. Le të jenë lutjet tona përherë, dhe lutja e kësaj Ore të Nëntë, e pranueshme para Teje. Dhe na jep që të ecim denjësisht për thirrjen me të cilën u thirrëm; që, kur të dalim nga ky trup, të numërohemi me ata që adhurojnë denjësisht mundimet e Birit Tënd të vetëmlindur, Jezu Krishtit, Zotit tonë, dhe të fitojmë mëshirë dhe falje të mëkateve dhe shpëtim me shoqërinë e shenjtorëve, të cilët të pëlqyen me të vërtetë që prej përjetësisë e deri në përjetësi.

O Perëndi, asgjëso prej nesh çdo fuqi të kundërshtarit dhe gjithë ushtritë e tij të këqija, ashtu siç i shkeli Biri Yt i vetëmlindur me fuqinë e Kryqit të Tij që jep jetë. Dhe na prano te Ti, o Zoti ynë Jezu Krisht, siç e pranove hajdutin e djathtë kur ishe i varur në Dru të Kryqit; dhe na ndriço siç ndriçove ata që ishin në errësirën e Ferrit. Na kthe të gjithëve në Parajsën e kënaqësisë, sepse Ti, o Zoti ynë, je i Bekuar; dhe Ty të takojnë me Atin Tënd të mirë dhe Shpirtin e Shenjtë, lavdia, nderi, madhështia, pushteti dhe adhurimi përjetësisht. Amin.

Letani që thuhet në fund të çdo Ore

Ki mëshirë për ne, o Perëndi, pastaj ki mëshirë për ne. Ti që në çdo kohë dhe në çdo orë, në qiell dhe mbi tokë, je i adhuruar dhe i lavdëruar, Krishti, Perëndia ynë i mirë, i gjatë në zemërgjerësi, i shumë mëshirshëm, i mbushur me dhembshuri, që i do të drejtët dhe ka mëshirë për mëkatarët, prej të cilëve i pari jam unë; që nuk do vdekjen e mëkatarit, por të kthehet dhe të rrojë; që i thërret të gjithë në shpëtim për hir të premtimit për të mirat e pritshme.

O Zot, prano prej nesh në këtë orë dhe në çdo orë lutjet tona; lehtëso jetën tonë dhe na udhëhiq të kryejmë urdhërimet e Tua. Shenjtëro shpirtrat tanë, pastro trupat tanë, drejto mendimet tona, pastro qëllimet tona, shëro sëmundjet tona dhe fal mëkatet tona. Dhe na shpëto nga çdo hidhësi e keqe dhe nga dhembja e zemrës. Na rretho me engjëjt e Tu të shenjtë, që, të ruajtur dhe të udhëhequr nga ushtria e tyre, të arrijmë në unitetin e besimit dhe në njohjen e lavdisë sate të papërfytyrueshme dhe të pakufishme, sepse i Bekuar je në përjetësi. Amin.

O Perëndi, na bëj të denjë të themi me falënderim: Ati ynë që je në qiej