Ora aktuale
Mbrëmësorja – Ora e Njëmbëdhjetë
Në perëndim i japim falënderime mbrojtjes së Perëndisë dhe rrëfejmë mëkatet tona me shpresë në mëshirën e Tij.
Hyrja e Çdo Ore
Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë
Një Perëndi i vetëm. Amin.
Zot, ki mëshirë. Zot, ki mëshirë. Zot, beko. Amin.
Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë dhe në shekujt e shekujve, Amin.
ATI YNË
Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.
Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.
Bukën tonë të përditshme na e jep sot.
Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.
Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".
Lutja e Falënderimit
T’i falënderojmë Bërësin e të mirave, Perëndinë e mëshirshëm, Atin e Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, sepse na mbuloi, na ndihmoi, na ruajti, na pranoi tek Veti, pati dhembshuri për ne, na përkrahu dhe na solli në këtë orë. Atëherë edhe ta lutim që të na ruajë në këtë ditë të shenjtë dhe në të gjitha ditët e jetës sonë me paqe të plotë. I Gjithëpushtetshmi, Zoti, Perëndia ynë.
O Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm, Ati i Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, të falënderojmë në çdo kohë dhe për çdo gjë dhe në çdo rrethanë, sepse na mbulove, na ndihmove, na ruajte, na pranove tek Ti, pate dhembshuri për ne, na përkrahe dhe na solle në këtë orë.
Për këtë të lutemi dhe të kërkojmë nga mirësia Jote, o Dashamir i njerëzve: na e jep që ta përfundojmë këtë ditë të shenjtë dhe të gjitha ditët e jetës sonë me paqe dhe me frikën Tënde. Çdo smirë, çdo tundim dhe çdo vepër të djallit, komplotin e njerëzve të këqij, ngritjen e armiqve të fshehtë dhe të dukshëm, i largo prej nesh, prej gjithë popullit Tënd dhe prej këtij vendi të shenjtë. Kurse të mirat dhe ato që na janë të dobishme na i dhuro. Sepse Ti je që na dhe pushtet të shkelim gjarpërinjtë dhe akrepat dhe gjithë fuqinë e armikut. Dhe mos na shpjer në tundim, por na shpëto nga i ligu.
Me hirin dhe me mëshirët dhe me dashurinë për njerëzit të Birit Tënd të vetëmlindur, Zotit tonë dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Prej të Cilit lavdia, nderimi, madhështia dhe adhurimi i takojnë Ty me Të, bashkë me Shpirtin tënd të Shenjtë që jep jetë dhe është i barabartë me Ty, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.
PSALMI 50
Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.
Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.
Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.
Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,
dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".
Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)
"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.
Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.
Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.
Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.
I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.
Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.
A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?
Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.
Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".
Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,
ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?
Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.
Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.
Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.
Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.
Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.
Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".
Fillimi i lutjes
Himni i Mbrëmjes së bekuar, ia ofroj Krishtit, Mbretit dhe Perëndisë tim, dhe i lutem të më falë mëkatet e mia
PSALMI 116
Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.
Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.
Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.
Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".
Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.
Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.
Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.
Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.
Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.
Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,
dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".
Ç'do t'i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?
Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.
Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.
Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.
Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.
Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.
Do t'i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,
në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.
PSALMI 117
Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!
Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.
PSALMI 119
Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.
Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër
dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.
Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.
Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.
Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.
Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.
Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.
Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.
Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.
E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.
Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.
Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.
Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.
Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.
Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.
Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.
Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.
Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua.
Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.
Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.
Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.
Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.
Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.
Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.
Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.
Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.
Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.
Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.
Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.
Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.
O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.
Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.
Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.
Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.
Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.
Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.
Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.
Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.
Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.
O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.
Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.
Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.
Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.
Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.
Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.
Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.
Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.
Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.
Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.
Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin?
Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.
Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.
Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.
Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.
Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.
Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.
Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.
Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.
Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.
Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.
Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.
Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.
Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.
Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.
Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.
Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.
Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.
O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.
Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.
Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.
Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.
Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.
Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.
Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.
Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.
Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.
Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.
Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.
Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.
Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.
Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.
Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.
Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.
Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.
Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.
Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.
Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.
Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.
Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.
Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.
Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.
Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.
Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.
I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.
Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.
Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.
Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë.
O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.
PSALMI 120
Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m'u përgjigj.
O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.
Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?
Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.
I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!
Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.
Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.
PSALMI 121
Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?
Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.
Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.
Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.
Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.
Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.
PSALMI 122
U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.
PSALMI 123
Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.
Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.
Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.
PSALMI 124
Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:
"Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,
ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;
atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,
atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".
Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.
Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.
Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.
PSALMI 125
Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.
Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.
Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.
O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.
Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t'i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.
PSALMI 126
Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.
Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".
Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.
Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.
Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.
Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.
PSALMI 127
Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.
Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.
Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.
Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.
Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.
PSALMI 128
Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.
Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.
Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!
Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.
Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.
Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.
UNGJILLI I SHENJTË SIPAS SHËN LUKËS (KAP. 4:38‑41)
Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë.
Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.
Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
Tenoo oasht emmok o piekhristos nem pekyot en aghathos nem pi epnevma ethowab je akee ak soati emmon nai nan
Ne të adhurojmë Ty, o Krisht, me Atin Tënd të Mirë dhe me Shpirtin e Shenjtë, sepse Ti erdhe dhe na shpëtove.
1. Nëse i drejti mezi shpëtohet, ku do të shfaqem unë, mëkatari? Barrën dhe vapën e ditës nuk e durova, për shkak të dobësisë sime njerëzore. Por, o Perëndi i mëshirshëm, më numëro me shokët e orës së njëmbëdhjetë. Sepse, ja, në paudhësi u konceptova, dhe në mëkate më lindi nëna ime. Prandaj nuk guxoj t’i ngre sytë drejt Qiellit; por mbështetem në shumësinë e mëshirës dhe dashurisë Sate për njerëzimin, duke thirrur e duke thënë: “Perëndi, më fal mua, mëkatarin, dhe ki mëshirë për mua.”
Doxa Patri ke Eioa ke Agio Pnevmati
Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.
2. Nxito, o Shpëtimtar, të më hapësh përqafimet atore, se e shpërdorova jetën time në kënaqësi e epshe, dhe dita kaloi e u zhduk. Prandaj tani mbështetem në pasurinë e mëshirës Sate të pambaruar. Andaj mos e lër një zemër të nënshtruar që ka nevojë për mëshirën Tënde. Sepse te Ti thërras, o Zot, me përulësi: “Ati, mëkatova kundër Qiellit dhe para Teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri Yt; më bëj si një nga punëtorët e Tu me mëditje.”
Ke nin ke a ee ke ees toos e onas toan e oa noan ameen.
Tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve, Amin.
3. Çdo paudhësi e bëra me zgjuarsi dhe veprim, dhe çdo mëkat e kreva me zjarr e zell, dhe jam i denjë për çdo mundim dhe gjykim. Prandaj përgatit për mua rrugët e pendimit, o Zonja Virgjëreshë; tek ti lutem, nëpërmjet teje kërkoj ndërmjetësim, dhe ty të thërras për ndihmë, që të mos turpërohem. Dhe kur shpirti im të dalë nga trupi, rri pranë meje dhe rrëzoje kurthin e armiqve dhe mbylli portat e Hadit, që të mos e përpijnë shpirtin tim, o ti, nuse e panjollë e Dhëndrit të vërtetë.
Pastaj besimtari lutet:
Zot, na dëgjo dhe ki mëshirë për ne dhe na fal mëkatet tona. Amin.
(Zot, ki mëshirë) 41 herë
Absolucioni
Të falënderojmë, o Mbreti ynë i mëshirshëm, sepse na dhe të kalojmë këtë ditë me paqe dhe na solle në mbrëmje me falënderim dhe na bëre të denjë të shohim dritën deri në mbrëmje. O Perëndi, prano këtë lavdërim tonin që u bë tani dhe na shpëto nga kurthet e kundërshtarit dhe asgjëso gjithë grackat e tjera të ngritura kundër nesh. Na dhuro në këtë natë që vjen shëndet pa dhimbje, pa shqetësim, pa lodhje dhe pa makth; që ta kalojmë edhe atë me paqe dhe dëlirësi dhe të çohemi për himne dhe lutje gjithmonë dhe kudo, duke lavdëruar emrin Tënd të shenjtë në çdo gjë, me Atin e pakuptueshëm dhe pa fillim, dhe me Shpirtin e Shenjtë që jep jetë dhe është i barabartë me Ty, tani dhe përherë dhe në shekuj të shekujve. Amin.
Letani që thuhet në fund të çdo Ore
Ki mëshirë për ne, o Perëndi, pastaj ki mëshirë për ne. Ti që në çdo kohë dhe në çdo orë, në qiell dhe mbi tokë, je i adhuruar dhe i lavdëruar, Krishti, Perëndia ynë i mirë, i gjatë në zemërgjerësi, i shumë mëshirshëm, i mbushur me dhembshuri, që i do të drejtët dhe ka mëshirë për mëkatarët, prej të cilëve i pari jam unë; që nuk do vdekjen e mëkatarit, por të kthehet dhe të rrojë; që i thërret të gjithë në shpëtim për hir të premtimit për të mirat e pritshme.
O Zot, prano prej nesh në këtë orë dhe në çdo orë lutjet tona; lehtëso jetën tonë dhe na udhëhiq të kryejmë urdhërimet e Tua. Shenjtëro shpirtrat tanë, pastro trupat tanë, drejto mendimet tona, pastro qëllimet tona, shëro sëmundjet tona dhe fal mëkatet tona. Dhe na shpëto nga çdo hidhësi e keqe dhe nga dhembja e zemrës. Na rretho me engjëjt e Tu të shenjtë, që, të ruajtur dhe të udhëhequr nga ushtria e tyre, të arrijmë në unitetin e besimit dhe në njohjen e lavdisë sate të papërfytyrueshme dhe të pakufishme, sepse i Bekuar je në përjetësi. Amin.
O Perëndi, na bëj të denjë të themi me falënderim: Ati ynë që je në qiej...